Aktiviteti në Parkun kulturor Ali Podrimja-Intervista: Arber Lleshi-

Sheshi i veprimtarive të shumta kulturore 

Vera e sivjetme kulturore ka dalluar nga të tjerat. Edhe për nga përmbajtja por edhe për nga forma e prezantimit të veprimtarive kulturore . Kësaj i ka kontribuar Parku kulturor Ali Podrimja që gjatë muajve të nxehtë të verës u shndërrua në një pikë takim i adhuruesve të filmit dhe ngjarjeve tjera artistike. Ky ishte shkas që të intervistojmë njërin nga ideatorët e realizimit të këtij projekti, të riun plot vullnet e entuziazëm për punë, Arbër Lleshi

Vera e sivjetme ka sjell freski me punën e Parkut kulturor Ali Podrimja. Si lindi ideja për një funksionalizim të tillë?

E gjitha nisi në fillim të vitit 2016, kur Ednor Hoti më prezantoj me idenë që kishte që moti rreth krijimit të një kinemaje të hapur në qytetin tonë që do të thyente rutinën për rininë gjakovare, dhe do të rikthente ekranin e madh pranë dashamirëve të mëdhenj siç janë qytetarët e Komunës së Gjakovës.

Menjëherë n’u bashkëngjit edhe Jetmir Rogova, dhe së bashku hartuam në letër planin se si mendonim të nisnim iniciativën e Parkut Kulturor “Ali Podrimja”, të tre të angazhuar vullnetarisht, krahas punëve tona të zakonshme. Sheshi “Ali Podrimja” i ndërtuar dhe i lënë pas dore menjëherë ishte lokacioni që na zuri syrin si vendi perfekt për të zhvilluar këtë projekt.

Të themi të drejtën, ky vend edhe më herët ishte përmendur si një lokacion të mundshëm për një amfiteatër apo qendër e hapur kulturore por pa ndonjë rezultat praktik, gjë që e bëri edhe më sfidues misionin tonë në fillesat e tij.

Meqë është viti parë i realizimit të këtij projekti, cilat ishin sfidat me të cilat u ballafaquat?

Vetë fakti që në Gjakovë kinemaja mungonte që 26 vite bënte këtë projekt të ketë arsyet e saj sfiduese. Fillimisht brenga jonë kryesore ishte gjetja e fondeve financiare për nisjen e Parkut Kulturor, duke pasur si qëllim që çdo gjë që bëjmë të jetë kualitative. Normalisht kjo kishte edhe koston e vetë të paevitushme, pavarësisht që resurset humane ishin të pallogaritura, duke llogaritur angazhimin tonë plotësisht vullnetar.

Mundi n’u shpërblye pas gati një viti mundimesh dhe kontaktesh kur në një periudhë prej 5 muajsh arritëm të siguronim shumën e nevojshme financiare për të nisur rrugëtimin tonë.

Një ndër pjesët e vështira ishte vendosja e një ekrani profesional me një madhësi të konsiderueshme. Nga ndërtimi i tij që të plotësojë protokollin e sigurisë deri te montimi i pëlhurës përbënë në vete një arritje për të cilën ishim krenar. Fatkeqësisht që pas natës së parë ajo u vandalizua, dhe si konsekuencë na shtyu të bënim një punë gati të pamundshme në riparim duke marrë parasysh orarin e ngjeshur, dhe prapë në fund para shfaqjes së fundit u ndoq nga një dëmtim tjetër që fatmirësisht nuk mundi të ndalë prapëseprapë punën tonë të rregullt.

Në momente vetë operimi i parkut të lodrave afër ishte problematik në mbajtjen e qetësisë gjatë shfaqjeve filmike dhe kulturore.

Gjithsesi, është me rëndësi të theksohet që pavarësisht të gjithave në çdo moment kishim energjinë dhe besimin e njëjtë në vazhdimin e punës sonë. Në vendosjen e shembullit që me pasion çdo gjë është e arritshme dhe gjithmonë e mira mund të triumfoj nëse dedikimi është i lartë.

A keni pasur mbështetjen e institucioneve dhe donatorëve?

Fatmirësisht që nga momenti i parë kishim përkrahjen e plotë të Komunës së Gjakovës e cila kishte besimin maksimal në projektin tonë dhe në grupin tonë udhëheqës për implementimin e drejtë të këtij projekti. Na ndihmuan në dhënien në shfrytëzim të vendit dhe operacionet tjera logjistike, dhe poashtu përkrahja nga Drejtoritë Komunale ishte maksimale, duke theksuar këtu ato të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe gjithashtu atë të Arsimit.

Përmes KosovaIdeas, platformës së parë croëdfunding në Kosovë, kishim mbështetjen e mahnitshme të 74 donatorëve nga gjithë bota, ku mblodhëm fondet e para dhe aq të nevojshme për nisjen e projektit. Pastaj donacionet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, GIZ përmes projektit YES, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Unicef Innovation Lab dhe Gjirafa kontribuuan me mjete financiare që bënë punën tonë më të lehtë dhe mundësuan që Parku Kulturor të jetë në nivelet që fillimisht kishim si qëllim maksimal.

Duke e ditur që është e pamundur të përmenden të gjithë, e ndihmën e secilit e vlerësojmë pa masë, është e domosdoshme të përmendet gjithëpërfshirja që komuniteti ka pasur në projektin tonë, secili sipas mundësive tyre.

Për fund në këtë pjesë falënderojmë shumë Fondacionin “Unë e Du Kosovën” dhe GjakovaBasel të cilat përmes krijimit të KosovaIdeas dhe përkrahjes tyre ndihmuan projektin tonë. Gjithashtu jemi mirënjohës ndaj Montkomerce, Maden Group, Lighthouse dhe IPKO. Esenciale dhe inspiruese për ne nga ky projekt ishte edhe bashkëpunimi me Dokufest të cilët e ndan eksperiencën e tyre me neve. 

Çfarë aktivitete janë zhvilluar gjatë verës në këtë park kulturor?

Qëllimi jonë primar ishte rikthimi i kinematografisë, dhe atë në mënyrë konstante duke prezantuar para publikut gjakovar filma dhe dokumentar me përmbajtje të zgjedhur që prek tema edukative, sociale dhe emocionale. Kjo ka ndodhur plotësisht me diku gati 30 shfaqje filmike të karakterizuara me dokumentar të huaj dhe filma vendor. Janë shfaqur paraqitje filmike që tentuan vetëdijesimin rreth ngrohjes globale apo krizës botërore të imigracionet, janë treguar pikëpamje të ndryshme rreth sfidave kryesore që njerëzimi sot ballafaqon dhe gjithashtu janë prezantuar filmat më të mirë vendor që janë realizuar viteve të fundit.

Në mes tyre është pasqyruar programi me Arkivin Shtetëror të Filmit në Shqipëri ku u prezantuan katër filma klasik të kinematografisë shqiptare dhe gjithashtu programi me Ambasadën Amerikane ku përmes gjashtë filmave inspirues u targetuan moshat e reja të qytetit.

Krahas filmit u organizuan net muzikore, letrare dhe artistike, u përkujtua pesë vjetori i poetit legjendar, emrin e të cilit mban sheshi dhe projekti jonë, Ali Podrimja, puna e të cilit u shpalos para dashamirëve dhe gjithashtu u rikthye debati publik përmes Barcamp.

Si e kanë pritur të rinjtë dhe bashkëqytetarët punën e këtij parku?

Siç u cek më lart, jemi shumë të kënaqur së pari me bashkëpunimin që komuniteti ka treguar në nisjen e këtij projekti, por gjithashtu edhe me pjesëmarrjen e audiencës së re në çdo ngjarje. Duke mos lënë anash këtu edhe moshat tjera, të cilat bashkërisht kanë shndërruar Parkun në një ambient që përmes kulturës bashkonte gjeneratat.

Cilat aktivitete kryesore i keni zhvilluar gjatë verës dhe cilat kanë zgjuar më tepër kureshtjen e të rinjve?

Aktivitetet me interesimin më të lartë padyshim kanë qenë shfaqje e filmave vendor, duke cekur këtu premierat në Gjakovë të filmave “Babai”, “Me dasht’ me dasht’ me dasht”, “T’padashtun” dhe “Tri Dritare dhe Një Varje” së fundmi. Gjithashtu edhe programi “Java e Filmit Amerikan” ka mbushur plot shkallët e Parkut Kulturor. Në përgjithësi mendojmë që me sukses Parku është kthyer në një vend ku rinia shkon dhe shoqërohet, përndryshe nga çfarë shërbente më herët që është një ndër arritjet tona më të madhe.

A i keni përmbushur planet dhe pritjet tuaja?

Mendoj që po, edhe atë plotësisht. Të ndihmuar edhe nga përkrahësit tonë në punë, qoftë atë logjistike apo financiare, na është mundësuar që planet tona të realizohen, edhe që të tregohemi realist të tejkalohen prej atyre çfarë kishim planifikuar.

A do të ketë vazhdimësi edhe vitin e ardhshëm?

Gjithsesi. Qëllimi jonë është që ky projekt të jetë një vlerë e qytetit për çdo vit, e duke shpresuar që të kemi një vend ku mund të zhvillojmë aktivitetet tona gjatë gjithë vitit. Për momentin nuk kemi një lokacion të përshtatshëm për zhvillimin e projektit gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, por besoj që me përkrahjen e Komunës së Gjakovës kjo do të zgjidhet dhe poashtu do të jemi bashkë edhe sezonin tjetër në pranverë-verë.