Ardian Gjini kryetar i komunës së Gjakovës

Ardian Gjini është kryetar i ardhshëm i komunës së Gjakovës në mandatin katër vjeçar. Ky është vendimi i 21 mijë e 607 votuesve që dolën dje në zgjedhjet e balotazhit. Në fakt maratona e fushatave të shpeshta zgjedhore, që na ka ndjekur me muaj të tërë këtë vit,  më në fund  mbrëmë është përmbyllur.  Ka përfunduar procesi zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune. Në komunën e Gjakovës ka pasur dalje me shkallë të ulët në zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Me 22 tetor pjesëmarrja ishte  38.31%  kurse në vitin 2013  pjesëmarrja ishte 43,2%.

Të dielën e 19 Nëntorit,   prej mbi 114 mijë votuesve sa ishin në listat e KQZ-së,  në 34 qendra votimi  obligimin qytetar e kanë realizuar   4o mijë e 417 votues apo 35.58% . Procesi zgjedhor në komunën e Gjakovës  është vlerësuar i qetë dhe pa ndonjë vështirësi apo incident të theksuar. Komisioni qendror zgjedhor ka publikuar mbrëmë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar komune që u mbajtën dje në Gjakovë . Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  nga 40 mijë e 417 vota ka mbledhur 21 mijë e 607 vota apo  53.49% të tyre dhe do ta drejtoi komunën e Gjakovës në katër vitet e ardhshme. Ndërkaq, Mimoza Kusari Lila e Alternatives ka mbledhur 18 mijë e 791 vota ose 46.51 %. Pas publikimit të rezultateve preliminare simpatizant të AAK kanë filluar me festën e fitores.

Në momentet të para pas publikimit të rezultateve përmes të cilave është bërë e ditur se është zgjedhur kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në rrjetet sociale ka shkruar  “ Po aq sa jam i lumtur dhe i gëzuar që kam marrë besimin tuaj, aq ndjej edhe përgjegjësi për katër vitet qe vijnë, që nga ky çast. Mesazhi im kryesor gjatë kësaj fushate ka qenë bashkimi i njerëzve, kjo ide do të më prijë gjatë katër viteve. I falënderojë të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e Aleancës, që  kanë treguar se e mbështesin vizionin tonë për bashkim. Në të njëjtën kohë, gjithë atyre që sonte ndihen humbës ju premtoj se krejt çka kanë humbur është një garë politike. Unë dhe gjithë kolegët e mi do të kujdesemi që asnjë qytetar i Gjakovës të mos jetë humbës por të gjithë fitues”- ka shkruar në rrjetet sociale, Ardian Gjini.

Në anën tjetër , Mimoza Kusari-Lila e cila për 4 vite ishte në pozitën e të pares së komunës së Gjakovës dhe nuk arriti të fitoi edhe një mandat të ri në këtë post, në rrjetin social facebook, ndër të tjera ka shkruar: “ Sot është një ditë e re në realitet të ri. Ishim bashkë katër vite me sfida dhe angazhime, por edhe suksese dhe të arritura. Asaj çfarë ne besuam dhe e vlerësuam, deri në fund i qëndruam besnik. Në fushatën dy mujore folëm dhe ju prezantuam çfarë menduam se është programi më i mirë për Gjakovën në “Plus 4” por nuk arritëm të bindim shumicën për këtë program, kjo është demokracia. Unë, nga thellësia e zemrës ju Falënderoj për besimin tuaj, respektin dhe vlerësimin që na dhatë gjatë katër viteve bashkëpunim dhe dy muaj fushatë. Ia uroj mandatin e fituar Ardian Gjinit duke shpresuar se me të vërtetë do të jetë kryetar i të gjithëve dhe do të ushtroj sovranitet të plotë në detyrën e tij. Gjakova e zgjodhi atë të qeverisë, andaj ai tani i ka borxh Gjakovës ta qeverisë, ka thënë përmes rrjetit social Kusari Lila.