Kujtohen futbollistët Faton Domi e Favzi Rama

Në 30 vjetorin e vdekjes së dy futbollistëve të brezit të artë të KF”Prishtina”, Favzi Rama e Faton Domi, të cilët patën humbur jetën në një aksident komunikacioni, në selinë e FFK-së, u mbajt një tubim përkujtimor. Për këtë ishin ftuar përfaqësues të familjes Rama e Domi si dhe gjithë ish-futbollistët e brezit të artë. Duke mbajtur një minutë heshtje nderimi për dy futbollistët  e ndjerë, presidenti i FFK-së,. Fadil Vokrri tha se ky është një moment sa i prekshëm, aq i veçantë dhe emocional.

“Unë falënderoj familjen e Favzi Ramës e Faton Domit si dhe gjithë bashkëlojtarët e Favziut dhe Fatonit e të mitë që kanë gjetur kohë që së bashku t’i kujtojmë bashkërisht dy shtyllat e klubit Prishtina. Yjet nuk shuhen kurrë dhe ne çdo herë do t’i kujtojmë me krenari dhe mall sepse ata i bën vetes një vend në historinë e futbollit të Kosovës. Në emër të familjeve u falënderua Faruk Domi, ndërkaq në emër të ish drejtuesve të KF”Prishtina” falënderime shprehu Bajram Tmava. Në fund presidenti  Vokrri ua dorëzoi nga një mirënjohje pas vdekjes familjes Rama e Domi, sikur që presidenti Vokrri shtroi një drekë për të gjithë pjesëmarrësit e këtij tubimi.