Në vendlindje e kujtojnë piktorin Qamil Grezda

Gjatë hapjes së ekspozites në Gjakovë

Në kuadër të Festës së Flamurit, të martën në mbrëmje , në foajenë e pallatit të kulturës në Gjakovë u hap  ekspozita e piktorit nga Gjakova, i cili ka jetuar e vepruar në Shqipëri, Qamil Grezda, në 100 vjetorin e lindjes.  Ekspozitën me titull “Grabitqari i bukurisë së natyrës” të autorit Qamil Grezda,  e realizoi i biri i tij skulptori Ermiri e kuruar nga Olsen Gripshi historian i artit, të  cilët në hapje kanë veçuar brendinë dhe karakteristikat kryesore të kësaj ekspozite me piktura kryesisht në teknikën vaj në pëlhurë.

Në emër të komunës së Gjakovës foli Meriton Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sporte në largim. Ai ka ndarë një mirënjohje posmortum për piktorin Qamil Grezdën me motivacion: “Piktor i traditës dhe intelektual i shquar pa harruar asnjëherë vendlindjen, krenari dhe vlerë e çmuar kombëtare e gjithë shqiptarisë”.

Piktori i madh shqiptarë me prejardhje nga Gjakova, Qamil Grezda me një plejadë të piktorëve të rinj, është shkolluar në Akademinë e Arteve në Romë, dhe në këtë drejtim ekspozita e Grezdës dëshmon një pikturë tek e cila ndihet forca dhe thellësia e akademisë italiane, ndërkohë që brenda saj ka  një frymë fiorentine. I biri i tij, Ermiri, ka veçuar ndikimin e kulturës dhe shkollimit Italian në zhvillimin e artit pamor në Shqipëri.

Kuratori i kësaj ekspozite, Olsen Gripshi ka thënë se ka qenë shumë i nderuar që i është dhënë mundësia që të organizoj  ekspozitën e një  nga piktorët më të rëndësishëm të historisë së artit pamor në Shqipëri. Sipas tij kjo ekspozitë sjellë vepra të papara dhe shijuara më parë.

Motive gjakovare

Biografia

Lindi në vitin 1917 dhe vdiq më 1992. Ai vinte nga një familje me origjinë gjakovare dhe i ati, Hysni Grezda, duke parë pasionin e të birit për pikturën, i cili qysh i ri që bënte reklamat e kinema “Glorias”, tableta dyqanesh etj., një ditë, si besimtar i mirë që ishte takon hoxhën e rrugës së “Kavajës”, Dine Hoxhën. Ai i rrëfen për punën e të birit dhe dëshirën që ai kishte për të vazhduar studimet për pikturë, Romë (Itali). Hoxha e dëgjon edhe i thotë të mos e pengojë të birin në këtë rrugë, sepse Qamili ishte djalë i mirë, punëtor dhe paratë e punës i dorëzon tek i ati. Atëherë Hysniu shet një pjesë të pasurisë së tij, bashkë me kostumin prej ari të bashkëshortes dhe me ato para nis të birin në Romë, në Akademinë “Belle Arte” (1939).  Të entuziazmuar bashkë me studentë të tjerë shqiptarë të diplomuar jashtë, Grezda u kthye në atdhe dhe mori pjesë në të gjitha ekspozitat e pas viteve ’45, derisa u themelua Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.